Miliarderët rusë Gennady Timchenko dhe Dmitry Pumpyansky humbën përpjekjen e parë për t’u shpëtuar ndëshkimeve të Bashkimit Evropian për lidhjet e tyre të dyshuara të ngushta me presidentin Vladimir Putin.
Gjykata e Përgjithshme e BE-së, gjykata e dytë më e lartë e bllokut, hodhi poshtë të mërkurën ankesat e tyre dhe ato të gruas dhe djalit të Pumpyansky dhe gruas së Timchenkos. Vendimet mund të apelohen.
Dhjetra biznesmenë të pasur rusë, përfshirë Roman Abramovich, dhe anëtarë të familjes i janë drejtuar gjykatave të bllokut me bazë në Luksemburg në një përpjekje për t’u çliruar nga ndëshkimet dhe për të rimarrë kontrollin e aseteve, pallateve dhe superjahteve të tyre.
BE-ja ka ndëshkuar rreth 1800 njerëz dhe subjekte që nga sulmet e Rusisë në Ukrainë, duke filluar me aneksimin e Krimesë në 2014 dhe pasuar nga pushtimi i fqinjit të saj në shkurt të vitit të kaluar.
Avokatët e Timchenkos dhe gruas së tij sulmuan përcaktimin e tij nga BE-ja si një i besuar i Putinit, duke thënë se mungon çdo lloj prove. Pumpyansky në një seancë gjyqësore në prill e përshkroi veten, gruan dhe djalin e tij – të gjithë të ndëshkuar nga BE – si ‘dëm kolateral’ në përpjekjet e politikës së jashtme të bllokut kundër Putinit.
Pronari i kompanisë së investimeve energjetike Volga Group, Timchenko dha dorëheqjen nga menaxhimi i prodhuesit më të madh privat rus të gazit natyror, Novatek, vitin e kaluar pasi u vu në shënjestër të sanksioneve nga blloku 27-vendesh.
Pumpyansky është pronar dhe kryetar i TMK, një prodhues global rus i tubave të çelikut për industrinë e naftës dhe gazit. BE-ja ka vendosur masa ndaj tij bazuar në pretendimet se bizneset e tij përfitojnë nga puna me shtetin rus.
Gushtin e kaluar, një superjaht prej 75 milionë dollarësh i lidhur me Pumpyansky u hodh në ankand në Gjibraltar. Anija luksoze u shit për përfitimin e bankës amerikane të investimeve JPMorgan Chase, e cila pretendoi se Pumpyansky i kishte borxh më shumë se 20 milionë dollarë.