Parlamenti i Ukrainës ka votuar sot miratimin e emërimit të Rustem Umerov si ministrin e ri të Mbrojtjes të vendit.
Rustem Umerov është një anëtar kryesor i komunitetit tatar të Krimesë, i cili ka përfaqësuar vendin e tij në negociatat kryesore me Rusinë.
Por ai ka edhe një lidhje speciale me Shqipërinë dhe cilësohet pa frikë si një mik i shqiptarëve, shkruan Voxnews.
Në korrik 2022 ai ka qenë për vizitë në Shqipëri, ku ka zhvilluar një takim informal me kryeministrin Edi Rama dhe një takim zyrtar edhe me Taulant Ballën, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar socialist dhe disa deputetë të tjerë.
Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Umerov-it që Ukraina të njohë Kosovën. Ky propozim pritet t’i shtrohet nga Rama edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në takimin e radhës.
Rustem Umerov, 41 vjeç, mysliman, ka qenë edhe pjesë e negociatave për strehimin e afganëve në Shqipëri. Umerov ka edhe besimin e ngushtë të Shtëpisë së Bardhë.
Kush është ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës
Umerov lindi në Uzbekistanin Sovjetik, vendi ku familja e tij u internua nën Stalinin dhe u kthye në Krime, Ukrainë, si fëmijë kur tatarët u lejuan të ktheheshin në vitet 1980 dhe 1990.
Ky mysliman 41-vjeçar filloi biznesin e tij të telekomunikacionit në vitin 2004 dhe u zgjodh në parlament në vitin 2019.
Atje, ai shërbeu si bashkëkryetar i Platformës së Krimesë, një përpjekje diplomatike ndërkombëtare që synon të kthejë aneksimin e gadishullit nga Rusia në vitin 2014.
Për vite me radhë, ai punoi si këshilltar i udhëheqësit të tatarëve të Krimesë, Mustafa Dzhemilev.
Ai ishte pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë në javët e para të luftës dhe mori pjesë në negociatat për krijimin e një korridori eksporti për grurin ukrainas përmes Detit të Zi.
Në shtator të vitit të kaluar, ai u emërua kreu i Fondit të Pronës Shtetërore, një rol veçanërisht i vështirë në Ukrainë, ku procesi i privatizimit është rrënuar nga korrupsioni.