Vendosni fjalën kyçe....

Kush viziton Venecian do paguajë, masa hyn në fuqi vitin e ardhshëm


Venecia më në fund ka zbuluar hollësitë për pagesën e hyrjes, duke e bërë atë qytetin e parë në botë që kërkon para nga vizitorët ditorë.

Duke filluar nga pranvera e vitit 2024, vizitorët në qytetin lundrues do duhet të paguajnë 5 euro për të hyrë në ditët e pikut, nëse nuk do qëndrojnë natën aty.

Por kjo nuk është ende një lëvizje e përhershme pasi autoritetet e Venecias janë zotuar për një ‘eksperiment’ 30-ditor, sipas kryebashkiakut Luigi Brugnaro, i cili ndau lajmin në X.

Në vend që të operojnë gjatë një muaji kalendarik, autoritetet do i shpërndajnë ditët me pagesë përgjatë vitit, duke zgjedhur ditët që parashikohen të jenë më të ngarkuara, për shembull fundjavat e festave dhe periudhat kulmore të karnavaleve.

Në një deklaratë, këshilli tha se ‘qëllimi është të shkurajojë turizmin ditor në periudha të caktuara’. Ai shtoi se një rezolutë e ardhshme do përcaktojë datat në të cilat pagesa do zbatohet.

Udhëtarët ditorë mbi 14 vjeç që hyjnë në ‘qytetin e vjetër’ të Venecias do duhet të paguajnë. Përjashtimet ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në komunë dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive. Ata me përjashtime do të duhet të regjistrohen në internet për të rezervuar udhëtimin e tyre.

Lëvizja është më pak se ajo që ishte propozuar më parë. Që nga viti 2019, autoritetet e qytetit kishin debatuar një pagesë  për të gjithë udhëtarët ditorë, gjatë gjithë vitit, në një shkallë nga 3 euro në 10 euro.

Pagesa kryesore prej 10 eurosh tani është zvogëluar në 5 euro. Ata që vizitojnë vetëm ‘ishujt e vegjël’ të lagunës, Burano e Murano do përjashtohen gjithashtu.