Vendosni fjalën kyçe....

Shpërdoruan detyrën duke mos konstatuar ndërtimet në Butrint, arrestohen dy zyrtarët, procedohen 3 të tjerë


Policia e Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas, për shpërdorim të detyrës si dhe ka proceduar penalisht 3 zyrtarë të tjerë, për të njëjtën vepër penale.

Ata akuzohen pasi në kohë të ndryshme, janë konstatuar raste të hedhjes së inerteve dhe të ndërtime të mureve rrethuese, në zonat e mbrojtura të liqenit të Butrintit, të Pemës së Thatë dhe të Lagunës.

Arrestimi erdhi pas investigimit televiziv dhe bërjes publik të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bënë ndalimin e shtetasve:

-Ç. A., 62 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë inspektor në ARZM, Vlorë, që mbulon zonën e Butrintit;
-S. Xh., 37 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë specialist në ARZM Vlorë që mbulon Ksamilin.

Për këta shtetas, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi në kohë të ndryshme, janë konstatuar raste të hedhjes së inerteve dhe të ndërtime të mureve rrethuese, në zonat e mbrojtura të liqenit të Butrintit, të Pemës së Thatë dhe të Lagunës.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:

-N. H., 51 vjec, banues në Vlorë, me detyrë drejtor i ARZM Vlorë (Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura);

-N. C., 38 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë inspektor i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit;

-B. K., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor i IVMT-së, bashkia Sarandë.

Këta shtetas nëpërmjet mosveprimit, kanë shpërdoruar detyrën, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, sepse në zonat e Pemës së Thatë, Lagunës dhe në liqenin e Butrintit, kanë lejuar ushtrimin e aktiviteteve më kundërshtim me ligjin, dhe për pasojë kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në lidhje me këtë rast, Policia e Sarandës ka referuar materialet në Prokurori dhe më parë, si dhe materialet shtesë, pas investigimit të gazetarëve të emisionit investigativ “Fiks Fare” në Top Channel.

Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën, të punonjësve të administratës shtetërore dhe çdo paligjshmëri tjetër, si dhe garanton qytetarët se është e vendosur për të reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm”- njofton policia.