Donald Trump mund të bëjë një kërkesë për të zhvendosur padinë penale në Xhorxhia, në bazë të së cilës ai akuzohet për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, nga një gjykatë shtetërore në një gjykatë federale, sipas një dokumenti të dorëzuar në gjykatë të enjten.
Ish-presidenti amerikan dhe kandidati kryesor për të marrë emërimin e partisë republikane si kandidat i saj presidencial për zgjedhjet e vitit 2024 u padit së bashku me 18 republikanë të tjerë në gusht nën akuzat se ai u bëri presion zyrtarëve zgjedhorë të shtetit të Xhorxhias për të përmbysur fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në këtë shtet.
Gjykata federale do të ishte një institucion më i favorshëm për zotin Trump, sepse ai do të përballej me një juri më të larmishme nga pikëpamja politike sesa ajo në qarkun e Fultonit në Xhorxhia, që është një bastion i demokratëve.
Një gjyq federal gjithashtu do ta lejonte atë të argumentonte se ai kishte imunitet nga ndjekja penale për veprimet që ai ka bërë në kuadër të detyrave të tij zyrtare si president.
Disa nga të pandehurit në rastin kundër zotit Trump, përfshirë ish-shefin e tij të personelit, Mark Meadows, kanë paraqitur tashmë kërkesat për të lëvizur rastet ndaj tyre në gjykata të tjera.
Një gjykatës pritet të vendosë për këto kërkesa në javët e ardhshme.