Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtari i KE kritikon importet e gazit rus nga Austria


Përfaqësuesi zyrtar i Komisionit Evropian në Vjenë, Martin Selmayr, ka kritikuar importet e vazhdueshme të gazit austriak nga Rusia. 

“Oh Zoti im, 55 për qind e gazit të Austrisë vazhdon të vijë nga Rusia”, tha Selmayr në një ngjarje mbi diskutimin bashkëkohor të artit të mbajtur në Vjenë.

Siç raporton e përditshmja ‘Kleine Zeitung’, Selmayr tha se Austria financon me importet e gazit “luftën e Putin-it dhe askush nuk është në Ringstrasse të Vjenës për të protestuar kundër saj”.

Ringstrasse është rruga ikonë e Vjenës, ku ndodhet parlamenti austriak.

“Kjo më habit, sepse para gjaku me faturën e gazit po dërgohen çdo ditë në Rusi”, theksoi politikani gjerman.

Më tej, Selmayr tha se derisa ai e kupton problemin energjetik me të cilin përballet Austria, “ai është një vend i pasur dhe si vendet e tjera mund të kalojë pa gazin rus”.

Raporti i BE-së i muajit maj të vitit 2023 dëshmoi për mangësitë e Austrisë në shkëputjen nga gazi rus. Përderisa pjesa e importeve të gazit nga Rusia ka rënë nga 80 për qind në 57 për qind, sipas raportit Austria “nuk ka një plan afatshkurtër të përcaktuar qartë për t’u shkëputur plotësisht nga Rusia”.

Në fund të muajit prill, ministrja austriake e Energjisë, Leonore Gewessler, prezantoi një plan për heqjen e gazit rus nga Austria. Ajo theksoi se dëshiron që furnizuesit e energjisë të jenë më të përgjegjshëm për ruajtjen e gazit jo-rus, si dhe transferimin e pjesëve të biznesit të gazit të kompanisë private ‘OMV’ tek kompania shtetërore ‘OBAG’.

Gjithashtu, sipas planit të ministres austriake, vendi duhet të sigurojë vëllimet e gazit nga kompania ‘OMV’ në Norvegji dhe Rumani, përfshirë kapacitet e transportit.