Bie në Korçë numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Për këtë vit janë regjistruar 228 nxënës më pak se vitin e kaluar.
Kjo ka çuar në mbylljen e klasave të para në disa shkolla ndërsa kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Leonard Trebika gjendja është alarmante.
“Në shkollat e Korçës do të mbyllen 4 klasa të para, për shkak se janë regjistruar më pak nxënës se vitet e kaluara. Por ka rënie dhe në klasat e tjerë të arsimit 9-vjecar”, tha Leonard Trebicka.
Numër më të vogël të regjistrimit në klasa të para ka edhe në shkollat e Kukësit ku për këtë vit shkollor janë regjistruar 215 nxënës më pak. Shkak për këtë është bërë emigrimi, kryesisht në zonat rurale , sipas drejtorit të Zyrës Arsimor Albert Muja.
“Është hap faza e tretë e regjistrimeve. Në klasë të parë janë regjistruar 512 nxënës, ose 99% e nxënësve të parashikuar. Nga regjistrimet kemi pasur vetëm një kasë rënie tek Lidhja e Prizrenit për shkak të numrit të nxënësve. Në klasë të 10-të kemi 470 regjistrime. Kemi pasur rënie 3 klase në gjimnazin “Havzi Nela”, tha Albert Muja Drejtor i ZVAP-Kukës.
Në qarkun e Vlorës ka gjithashtu rënie për sa i përket regjistrimit në klasat e para. Këtë vit numri i është 58 nxënës më pak se viti i shkuar. E njëjta gjendje paraqitet edhe në klasat e dhjeta ku numri i nxënësve të regjistruar është më i vogël.
“Aktualisht janë 7 shkolla në proces rindërtimi dhe 7 shkolla të tjera janë planifikuar për t’ju nënshtruar rikonstruksionit. Janë marrë të gjitha masat për sistemimin e nxënësve në shkolla pritëse. Vështirësia mbetet për ato institucione arsimore që do të vijojnë të zhvillojnë mësimin pasdite. Janë 14 institucione që do të vijojnë mësimin në turnin e dytë.” – tha shefja e arsimit IrenaToshkollari.
Po kështu në shumë shkolla të vendit ku nuk ka mbaruar ende procesi i ndërtimit apo rikonstruksionit, mësimi do zhvillohet ende me dy turne.