Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030. Kështu ka vendosur të premten Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), që u mbajt në Heraklion të Greqisë, shkruan Koha.
Kandidatura e Kosovës, përkatësisht Prishtinës, u prezantua nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.
Të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë. Kandidatura e Kosovës mori përkrahje edhe nga Shqipëria, ku do të mbahen disa prej ngjarjeve.
Vlerësime pozitive për kandidaturën e Kosovës dha edhe një komision i ICMG-së që kishte qëndruar në Kosovë javë më parë. Paraprakisht, Asambleja ndryshoi rregulloren që ua ndalonte shteteve pa dalje në det të organizonin lojërat mesdhetare.
Në Lojëra Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 shtete. Kosova pritet të investojë mbi 250 milionë euro për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
“Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare. Në këtë ngjarje marrin pjesë shumë shtete që nuk e njohin Kosovën.