PD-ja e Bashës ka njoftuar sot se nuk do dalë me kandidat në zgjedhjet e 24 shtatorit për Bashkinë e Kukësit.
Në një njoftim të degës së Kukësit, thuhet se gara për bashki nuk duhet të jetë për pazare e qoka oligarkësh mes rilindasve të Ramës e përfituesve të Metës.
Deklaratë thekson gjithashtu se pavarëisht përpjekjeve dymujore për bashkim mes demokratëve, kjo gjë ra në vesh të shurdhët.
Në deklaratën zyrtare thuhet gjithashtu se komandimi nga Tirana është në dëm të interesave të demokratëve e në interes të oligarkëve të Ramës duke rrezikuar një tjetër 14 maj.
Deklarata
“Deklaratë e PD-së, dega Kukës
8 shtator 2023
Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me pergjegjësi te lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës; pas refuzimit nga një pjesë e opozitës për një kandidat përbashkues, rezident në Kukës dhe me të gjithë vullnetin për të nxjerrë një kandidat fitues në zgjedhjet e 24 shtatorit, kërkon t’ju rikujtojë të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të saj se qëndrimi jonë ka qenë konstant dhe vetëm në interes të demokratëve të ndershëm të Kukësit.
Ne besojmë se gara për drejtimin e Bashkisë Kukës ,është një përfaqësim dinjitoz dhe I munguar për qytetarët e lirë të këtij vendi. Kjo garë nuk duhet absolutisht të jetë një garë për pazare dhe qoka oligarkësh mes rilindasve te Ramës dhe përfituesve të PL së Metës.
Megjithatë, në rrethanat kur PD , institucionet e saj lokale dhe qëndrore, këmbëngulën për më se dy muaj për një bashkim gjithëpërfshirës të faktorëve opozitarë ne Kukës, me qëllimin e vetëm kthimin e qeverisjes lokale tek e djathta,në shërbim të qytetarëve, çdo kërkesë e jona u pa se ra në vesh të shurdhët. Jo të gjithë patën të njëjtin vullnet me Partinë Demokratike.
Duke anashkaluar dhe vullnetin e familjes së madhe të demokratëve të Kukësit, komandimi nga Tirana,në dëm të interesave të qytetarëve kuksianë, për të mbrojtur interesat e individëve dhe tregtarëve me oligarkët e Ramës po rrezikojnë një përsëritje të 14 majit. Të gjithë ne, kemi humbur shumë prej frymës së konfliktit, përçarjes, unit dhe interesave të individit. Interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim do të ishte përfaqësimi me një kandidat të vetëm të të gjithë spektrit opozitar për bashkinë Kukës.
Ndaj në kushtet e krijuara pas “nxitimit’ me “primare” të paracaktuara dhe caktimit të kandidatit, Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim , që të mos krijojë kushtet për një ndarje akoma më të thellë të demokratëve në dëm të qytetarëve të Kukësit. Në këto rrethana Partia Demokratike, me përgjegjësi të plotë deklaron se nuk do të dalë me një kandidat për zgjedhjet e datës 24 shtator për Bashkinë e Kukësit.
Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë “trau I dytë” I humbjes, në dëm të demokratëve dhe qytetarëve kuksianë.Partia Demokratike qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre dhe po punon fort për ringritjen,bashkimin dhe unifikimin e të gjithë strukturave.Partia Demokratike do të luftojë që sëbashku ti rikthejme dinjitetin e nërpërkëmbur të qytetarëve kuksianë nga interesat e momentit, të kujtdo qofshin ato. Koha, do të jetë treguesi më I mirë.”