Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi pret ministrin e ri të Mbrojtjes së Kosovës: Do vijojmë mbështetjen në proceset euro-atlantike


 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi priti sot Ministrin e ri të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci si dhe delegacionin që e shoqëronte.

Ministri Peleshi vlerësoi faktin që vizitën e parë zyrtare si Ministër i Mbrojtjes z.Maqedonci e zhvilloi në Tiranë, duke demonstruar dhe njëherë rëndësinë e marrëdhënieve, miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy shteteve tona.

Diskutimet mes dy ministrave u fokusuan në bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes  si dhe  vlerësimin e mundësive mbi  intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Gjithashtu dy ministrat biseduan për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin rajonal si dhe sfidat, me të cilat rajoni po përballet.

“Me ministrin e ri të Mbrojtjes së Kosovës, z. Ejup Maqedonci, i cili vizitën e tij të parë e zhvilloi në Tiranë. Shenjë e rëndësisë së marrëdhënieve strategjike mes dy shteteve tona shqiptare.

Shqipëria do të vijojë pa u ndalur mbështetjen ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, në të gjitha nismat rajonale dhe rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike.

Intensifikojmë përpjekjet për të gjetur fusha të reja bashkëpunimi në interesin tonë të përbashkët!” shkruan Peleshi në rrjetet sociale.

Nga ana e tij ministri Maqedonci shprehu falënderimet mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës, ndërsa u ra dakord për identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të intensifikuar më tej raportet mes Kosovës e Shqipërisë.