Në një veprim të paprecedentë, Vatikani të dielën lumturoi një familje polake prej nëntë anëtarësh, një çift të martuar dhe fëmijët e tyre të vegjël, të cilët u ekzekutuan nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore për strehimin e hebrenjve.
Gjatë një meshe ceremoniale në fshatin Markowa, në Poloninë juglindore, i dërguari papal, Kardinali Marcello Semeraro lexoi formulën latine të lumturimit të familjes Ulma, nënshkruar muajin e kaluar nga Papa Françesku.
Në predikimin e tij, Semeraro vuri në dukje se për ‘mikpritjen, kujdesin e mëshirën’ familja Ulma ‘pagoi çmimi më të lartë, duke u maririzuar’.
Një pikturë bashkëkohore që përfaqëson kryefamiljarin Jozef, bashkëshorten Wiktoria Ulma e fëmijët e tyre u zbulua pranë altarit. Një procesion solli relike të marra nga varri i tyre në altar. Ishte hera e parë që një familje e tërë lumturohet.
Në Vatikan, duke folur për publikun nga një dritare në sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku tha se familja Ulma ‘përfaqësonin një rreze drite në errësirën’ e luftës dhe duhet të jetë një model për të gjithë në ‘bërjen mirë dhe të qenit në shërbim të atyre në nevojë’.
Vitin e kaluar, Françesku e shpalli familjen thellësisht katolike Ulma, përfshirë fëmijën me të cilin ishte shtatzënë Wiktoria Ulma, martire për besimin. Ulmat u vranë në shtëpi nga trupat naziste gjermane dhe nga policia lokale e kontrolluar nga nazistët në orët e vona të 24 marsit 1944, së bashku me tetë hebrenjtë që fshihnin në shtëpinë e tyre, pasi me sa duket u tradhtuan.
Jozef Ulma, 44 vjeç, ishte një fermer, aktivist katolik dhe fotograf amator që dokumentoi jetën e familjes dhe të fshatit. Ai jetonte me gruan e tij 31-vjeçare Wiktoria; vajzat e tyre Stanislawa, 7 vjeç; Barbara, 6 vjeç; Maria, 18 muaj; dhe djemtë Wladyslaw, 5 vjeç; Franciszek, 3; dhe Antoni, 2.