Vendosni fjalën kyçe....

Fitorja historike ndaj Polonisë, lojtarët  e kombëtares ‘me këmbë në tokë’: Na presin edhe tre finale


Lojtarët e kombëtares shqiptare janë treguar me këmbë në tokë pas fitores  2-0 ndaj Polonisë në ‘Air Albania’ në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024.

Në intervistat e dhëna pas ndeshjes ata kanë pohuar se deri në fund janë për t’u luajtur edhe tre finale, duke nisur ndaj ajo me Çekinë më 12 tetor.

Jasir Asani, i cili shënoi golin e parë në minutën e 37’ falënderoi trajnerin Sylvinho për besimin që i ka dhënë duke e thirrur në ekip.

“Me rëndësi është fitorja, u futën nga minuta e parë për këtë rezultat. Sylvinho ka bërë një punë të mirë. Fusha nuk na la të bënim futbollin më të mirë. Tentova disa herë të krosoj për Cikalleshin dhe Uzunin por s’ja dola. Falenderoj Sylvinhon, sepse pa të nuk do isha këtu. Ndoshta edhe isha, nuk i i dihet, por unë e falenderoj nga zemra. Vazhojmë kështu pasi kemi edhe 3 ndeshje të tjera.  Kush nuk ka dëshirë të kthehet në Europë. Unë kam shënuar golin por merita është e gjitha e Sylvinhos dhe Zabaletas.” – tha Asani.

Ylber Ramadani tha se goli i anuluar i Polonisë e zgjoi ekipin që reagoi si duhet. Ai tha se shpreson që puna e mirë që ka nisur të vijojë edhe më tej.

“Ishte e vështirë deri në 15 minutat e para, shënuan edhe golin dhe i thashë edhe Gjimshitit se duhej të zgjoheshim. Pastaj erdhi goli i Asanit dhe e morëm veten, më pas nuk mbaj mend ndonjë rast të Polonisë. Thashë se do të luanim për të fituar, e dinim sa vlente fitorja. Kemi edhe tre finale të tjera, falenderoj tifozët, stafin dhe presidentin. Po bëhet një punë e madhe, shpresoj të vazhdojmë kështu. Që nga viti i kaluar te Aberdeen jam rritur shumë dhe duhet të punoj ende, jam vetëm 27-vjeç dhe dua të jap më të mirën për kombëtaren dhe për klubin. Duhej të kujdesesha për Leëandoëskin dhe Zielinskin, dhe i thashë Asllanit që të luante topin. I kam thënë trajnerit që nuk e kam pasur problem ta mbroj Zielinskin, e di që ka kualitet dhe teknikë.” – tha Ramadani.

Autori i golit të dytë Mirlind Daku tha se kishte besuar fort se do shënonte ndaj Polonisë përpara tifozerisë së kombëtares dhe ia doli.

Ai tha se ia kushton golin famijes dhe dëshmorëve në Kosovë të vrarë gjatë luftës për pavarësi.

“Ato lot ishin vetëm për debutimin emocionues dhe jo për atë pasim të gabuar. Sot zoti më shpërbleu dhe arrita të shënoj atë gol. Me golin që shënova, çdo e keqe që kisha brenda, doli jashtë. E kam pasur bindje që do të shënoja gol në Shqipëri, ndaj Polonisë dhe ia dola. Me këtë gol, më duket sikur largova një peshë 100-kilogramëshe nga vetja. Më mirë që nuk shënova në ndeshjen e parë, por në këtë takim, para tifozerisë së mrekullueshme shqiptare. Të gjithë më kanë mbështetur shumë dhe jam i lumtur që ua shpërbleva me këtë gol. Ndoshta u bëra nervozë të gjithëve me atë pasim në ndeshjen e parë, por besoj që e shpërbleva në mënyrën më të mirë të mundshme. Ia dedikoj familjes time, që më ka përkrahur gjithmonë, por edhe gjithë dëshmorëve në Kosovë, që kanë dhënë gjithçka për atdheun dhe kanë kontribuuar që ne të mblidhemi nga të gjithë trevat dhe të luajmë me këtë fanellë.”­ – tha Daku.