Një 30-vjeçar u arrestua në Pogradec pasi u kap duke transportuar 29 emigrantë të paligjshëm.
Në pranga e policisë ra shtetasi me iniciale F. Q., banues në Durrës.
“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në afërsi të fshatit Kalivaç, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Shtetasi F. Q., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin tip furgon u gjetën 29 emigrantë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 30-vjeçari do t’i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 1 aparat celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.