Vendosni fjalën kyçe....

Delegacioni izraelit merr pjesë në konferencën e organizuar në Arabinë Saudite, ndodh për herë të parë


Në një hap të paprecedentë, një delegacion diplomatik izraelit po viziton aktualisht Arabinë Saudite për të marrë pjesë në një konferencë të UNESCO-s në kryeqytetin Riad, raporton Anadolu.

“Unë mund të konfirmoj se një delegacion izraelit po merr pjesë në konferencën e UNESCO-s në Arabinë Saudite”, tha një zyrtar izraelit për Anadolu, duke kërkuar të mbetet anonim.

Burimi konfirmoi se është hera e parë që një delegacion izraelit po bën një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, e cila nuk ka marrëdhënie zyrtare me Izraelin.

Delegacioni izraelit përbëhet nga zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, shtoi burimi.

Radioja e ushtrisë izraelite raportoi javën e kaluar se qeveria saudite i kishte refuzuar vizat e hyrjes si ministrit të Jashtëm Eli Cohen, ashtu edhe ministrit të Arsimit Yoav Kisch, për të marrë pjesë në të njëjtën konferencë ndërkombëtare.

Në muajt e fundit, zyrtarët izraelitë kanë folur për normalizimin e mundshëm të afërt të lidhjeve me Arabinë Saudite, por Riadi ka konfirmuar vazhdimisht se kjo nuk do të ndodhë derisa të arrihet një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez.

Riadi po mirëpret aktualisht Konferencën e Trashëgimisë Botërore, organizuar nga UNESCO, në datat 10-25 shtator.