Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: Presidenti Begaj dekretoi në mënyrë antikushtetuese Ervin Meten si ministër


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një emision në Syri Tv, foli për ndryshimet në qeverinë Rama.

Zhupa deklaroi se Presidenti i Republikës dekretoi Ervin Meten si ministër në mënyrë anti-kushtetuese, ndërkohë që ky dekret nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“Është rast unikal kur Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Presidenti i Republikës nuk mund të dekretonte Ervin Meten si ministër për aq kohë sa Ervin Mete është, ose ishte të paktën deri sot në orën 14:00 në drekë, Kryetar i Bordit dhe Drejtor Ekzekutiv i një institucioni të pavarur siç ishte Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Pra në momentin që presidenti merr një propozim ministri ka vetëm një detyrë, të shikojë a i përmbush kushtet për të qenë deputet dhe për të qenë ministër, sepse ligji e ka që ministër mund të jetë kushdo që përmbush kushtet për të qenë deputet. Në këtë drejtim ai nuk mund të dekretonte Ervin Meten për sa kohë ishte në kushte papajtueshmërie, sepse ishte njëkohësisht kryetar i një organi të pavarur. Dekreti i Presidentit Begaj është me datë (9/9) dhe shkarkimi nga Kuvendi është me datë (11/9). Pra kemi dekret për Drejtorin Ekzekutiv të AMF për t’u emëruar ministër. Këto janë çmenduri që vetëm në Shqipëri mund të ndodhin.”- u shpreh Zhupa.