Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Fierit/ Përfundon mbrojtja e të pandehurve, vendimi i GJKKO-së më 25 shtator


Ka përfunduar mbrojtja e të pandehurve për incenartorin e Fierit.

Ndërkohë GJKKO do të vendosë më 25 shtator për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë.

Në seancën e kaluar, (6 shtator) ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka shfajësoi veten përballë akuzave lidhur me inceneratorin e Fierit. I pranishëm në GJKKO në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ish-ministri tha ndër të tjera se nuk ka pasur fuqi vendimmarrëse në këtë çështje dhe se vetëm ka ekzekutuar.

Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ai tha se kërkon drejtësi, ndërsa akuzoi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si autorët e kallëzimit penal të bërë ndaj tij.

“Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova që janë kriter themelor i proçesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit”, u shpreh ish-ministri në gjykatë.

SPAK ka kërkuar 10 vjet burg për Lefter Kokën, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, i njëjti dënim i kërkuar ndaj tij edhe në procesin për inceneratorin e Elbasanit. Për ish deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite. Për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkon përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj.

Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin  e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.