Vendosni fjalën kyçe....

Mali Fuji i Japonisë ‘në krizë të thellë’ nga mbipopullimi – Zyrtarët


Mali Fuji, një nga malet e shenjta të Japonisë dhe një vend i njohur pelegrinazhi, përballet me një krizë nëse numri i turistëve vizitorë nuk vihet nën kontroll, kanë paralajmëruar autoritetet vendase.

“Fuji po bërtet nga dhimbja. Ne nuk mund të presim thjesht që kjo gjendje të përmirësohet,” tha Masatake Izumi, një zyrtar i qeverisë prefekturale Yamanashi, për CNN gjatë një deklarata për mediat e huaja të shtunën, duke shtuar se ‘mbiturizmi’ duhet të trajtohet në mënyrë të shpejtë.

“Fuji përballet me një krizë të vërtetë për shkak të rrjedhës së pakontrollueshme të turistëve”, citohet të ketë thënë Izumi.

“Kemi frikë se mali Fuji së shpejti do bëhet kaq jotërheqës, sa askush nuk do të dojë ta ngjisë më,” tha ai.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, bumi i turizmit pas Covid-it ka sjellë mijëra alpinistë në mal, duke shkaktuar dëme mjedisore dhe duke vendosur presion shtesë mbi shërbimet lokale të ndihmës së parë.

Pavarësisht prezantimit të një fushate që u bën thirrje vizitorëve të mos hedhin mbeturina, me vullnetarë që heqin tonelata mbeturina çdo vit, si alpinistët ashtu edhe kujdestarët ankohen për mbipopullimin dhe grumbujt e mbeturinave të mbetura përgjatë rrugës.

Një vullkan aktiv me lartësi 3776 metra, i njohur për mbulesën e tij piktoreske të borës dhe një nga simbolet kombëtare të Japonisë, mali u njoh si një vend i Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s në vitin 2013. Numri i vizitorëve në Fuji u dyfishua midis 2012 dhe 2019 në 5.1 milionë.

Këtë javë, zyrtarët qeveritarë u takuan për të diskutuar ‘mbipopullimin dhe shkeljet e rregullave të mirësjelljes’ nëpër pikat turistike me lëvizje të lartë, me Guvernatorin e Yamanashi Kotaro Nagasaki që propozoi ndërtimin e një hekurudhe për të kontrolluar numrin e njerëzve që hyjnë në vend.