Koalicioni “Bashkë Fitojmë” hapu sot fushatën elektorale në zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Kukësit të cilat zhvillohen pas skandalit të ish-kryetarit Safet Gjici.
I pranishëm në hapje ka qenë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Meta ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, teksa ka deklaruar se Kukësi nuk ka nevojë për “fasadat e korrupsionit të Edi Ramës”, por për drejtues të përkushtuar.
Ai shtoi se ky qytet është kthyer në “kampion të emigracionit” dhe se prodhuesit dhe eksportuesit po falimentojnë për shkak të një projekti të qeverisë.
Meta u shpreh se me votën e tyre qytetarët e Kukësit kanë mundësi të dënojnë “14 majin e tjetërsimit të votës”.
“Të vjen keq që rruga e Kombit pavarësisht se ka shërbyer për kombin tonë, për fat të keq nuk i ka shërbyer sa duhet bashkisë së Kukësit. Kukësi nuk ka nevojë për fasadat e korrupsionit të Edi Ramës, por për një drejtues të përkushtuar që bashkëpunon me komunitetin dhe ekspertët në gjithë fushat.
Kukësi është kampion për emigracionin fatkeqësisht, por qeveria ka zbrazur edhe xhepat e qytetarëve dhe paratë që sjellin emigrantët përmes luhatjeve të kursit.
Prodhuesit dhe eksportuesit tanë po falimentojnë për shkak të një projekti të qeverisë së Edi Ramës. Me votën tuaj keni mundësinë për të dënuar 14 majin e tjetërsimit të votave, por njëkohësisht t’i jepni shpresë fëmijëve tuaj dhe të rinjve të Kukësit”, u shpreh ai.