Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet në qeveri, Bardhi: Problemi i kësaj qeverie nuk janë anëtarët e kabinetit, por Rama


Edhe deputeti Gazment Bardhi ka folur pas seancës së shkurtër parlamentare ku u votuan ndryshimet në qeveri.

Bardhi tha se nuk u lejua debati se Rama është i paaftë për të mbrojtur ndryshimet e veta dhe se problemi i kësaj qeverie nuk janë anëtarët e kabinetit, por vet Rama.

“Edhe pse sot u formatua gjysma e kabinetit qeveritar, nuk u lejua një debat parlamentar për këto ndryshime në qeveri. Nuk kemi shpjegim pse ditën e parë të shkollës shkarkohet ministrja e Arsimit, pse shkarkohet ministrja e Jashtme kur përpara kemi samitin e Berlinit.

Edhe kur propozimet e kryeministrit vijnë për votim, ai është i paaftë për të mbrojtur ndryshimet e veta në kabinetin qeveritar.

Shqiptarët e kanë kuptuar që sado makijazh të bëjë të kabinetit, vulën e korrupsionit nuk e heq dot. Nuk ka asnjë rëndësi si quhen ministrat e rinj apo të vjetër të Ramës, njëlloj do vazhdojnë pagesat për inceneratorët, njëlloj do vazhdojnë të mbrojnë korrupsionin e Edi Ramës. Problemi i kësaj qeveri nuk janë anëtarët e kabinetit, por Rama”, tha Bardhi.

I pyetur për takimet e deputetëve të opozitës nën drejtimin e tij, ai konfirmoi tryezën në ditët në vijim.

“Do mblidhemi patjetër në tryezë, do të vazhdojnë të 59 deputetët opozitarë të PD-së dhe Aleancës për Ndryshim”, deklaroi Bardhi.