Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet në qeveri, Berisha: Spiropali do zëvendësonte Xhaçkën, por një video ndryshoi planet e Ramës


Ish-kryeministri Sali Berisha jashtë parlamentit ka komentuar miratimin e ndryshimeve në qeveri ku u votuan nga deputetët.

Berisha tha se këto ndryshime janë “përpjekje për të larë fytyrën, por e nxinë atë dhe më shumë”.

Berisha tha se Igli Hasani ishte zgjedhja e minutit të fundit pasi ishte parashikuar që të zgjidhej Elisa Spiropali, por në momentet e fundit ka dalë një video që ka detyruar Ramën që ta anulojë emërimin e saj.

Po zëvendësohet Olta Xhaçka me një diplomat i cili bën një gabim fatal të jetës së tij pasi ishte zgjidhja e minutës së fundit. Të gjitha përgatitjet i kishte bërë Spiropali por një video që thuhej se doli Spiropali ku bënte mbledhje me Bajret e Pëllumb Gjokën e bandat e tjera të Shkodrës në një hotel afër Shkodrës detyroi Ramën ta anulojë emërimin e saj

“Unë s’di asgjë për Igli Hasanin, por di marrëzinë e tij që pranohet të vihet në shërbim të Edi Ramës. Si mundet një diplomat me karrierë të pamohueshme në diplomaci, të vihet në shërbim të një njeriu i cili u damkos në rajon si sherr ndjellës, vasal i Vuçiçit, si njeri që u diskreditua me qëndrimet antishqiptare dhe proVuciç, që na mbolli një sherr të paparë me fqinjin tonë jugor, Greqinë. A mundet një diplomat ta vërë veten në shërbim të një antishqiptari? Këtë e bën vetëm një diplomat dritëshkurtër. Për atë Meten, ka ca gjëra për t’i shpjeguar më vonë”,tha Berisha.

Ai gjithashtu vijoi akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Taulant Balla për lidhje me krimin.

“Taulant Balla njeriu me dy ose tre telefona të kriptuar. Me dy vinte këtu në parlament, po thonë që kishte dhe më shumë. Ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me eksponentë të krimit të organizuar në Belgjikë, Holandë etj. Ka ndërsyer banditë ndaj opozitës.

Shoqëruesi me pasaportë diplomatike 57 herë i Edmond Begos i cili njihej si një nga trafikantët më të mëdhenj të Italisë dhe rajonit. Balla i implikuar me Gentian Sharrën, bandit dhe vrasës i Elbasanit.

Balla është akuzuar si i implikuar në vrasjen e avokatit Gurra, i cili kishte dijeni si avokat për regjistrimet që ekzistonin se Balla ishte porositës vrasjesh”, tha Berisha.