Në takimin e liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Brdo-Brione që po mbahet në Shkup, ku nga Kosova po merr pjesë presidentja, Vjosa Osmani, dhe nga Shqipëria, presidenti, Bajram Begaj. Pjesë e takimit është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Falenderoj Presidentët Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të proçesit Bërdo-Brione. Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi Osmani në Facebook.
Në Samitin e presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, presidentja Osmani pritet të ketë edhe takime me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Në këtë samit liderët pritet që ta miratojnë një deklaratë të përbashkët, temat qendrore të takimit të sivjetëm janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.