Metodat e vlerësimit për procedura të ndryshme prokurimi të lidhura me ndërhyrje në akse rrugore sipas praktikës “me çelësa në dorë” apo edhe të tjera nuk kanë nxitur konkurrencë për të shtuar interesin e më shumë operatorëve pjesëmarrës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) publikoi së fundmi në auditim të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar duke vënë në dukje se vlerësimet nuk kanë arritur të sigurojnë përdorimin me efikasitet të parasë publike.
“Vendosja e metodës së vlerësimit jo në përputhje me nevojat e investimit nuk ka rritur eficiencën dhe efikasitetin e procedurave, nuk ka arritur të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe ulje të shpenzimeve procedurale, nuk ka nxitur pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë si dhe nuk ka nxitur konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë për të gjitha procedurat e prokuruara” nënvizon KLSH.
Ky i fundit sheh si problem jo të vogël çështjen e detyrimeve të prapambetura që akumulohet si efekt i vendimit të gjykatave.
“Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion për periudhën objekt auditimi, duke ju referuar vendimeve të Gjykatave, ARRSH rezulton të jetë palë debitore në 18 raste me subjekte të ndryshme në vlerën 373,116,044 lekë. Në dy nga këto raste, nga ana e debitorëve është vendosur urdhër sekuestro në llogaritë e Thesarit me vlerën 41,942,661 lekë” thuhet në dokument.
Ndërkohë duke kaluar nga vlerësimi tek zbatimi i kontratave audituesit kanë shprehur rezerva për mënyrën sesi janë bërë pagesat në disa raste duke dërguar tek sipërmarrësit para për punime të pakryera.
“Sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion në lidhje me zbatimin e kontratave rezultoi se janë përdorur pa efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet fonde në shumën prej 104,130,025 lekë pa TVSH si dhe janë përfituar tepër nga ana e sipërmarrësve të kontratave si rrjedhojë e likuidimit të punimeve të pakryera në fakt në shumën totale prej 12,131,741 lekë pa TVSH” thuhet në auditim.
Më gjerësisht raporti ndalet në dy akse të rëndësishme ku është investuar duke shprehur rezerva në disa aspekte. Investimi i parë është ai “Ndërtim rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij. KLSH konstaton se verifikimi i kryer në terren në prezencë të përfaqësuesve shtetërorë të KLSH dhe Konsulentit (supervizori i punimeve) rezultuan se janë përfshirë në librezat e masave volume pune të pakryera në fakt në vlerën prej 12,131,741 lekë pa TVSH.
Në raport rekomandohet që ARRSH në bashkëpunim me mbikëqyrësin e punimeve të marrë masa për zbritjen e punimeve të certifikuara më tepër dhe rakordimin e tyre, të vlerës 12,131,741 lekë pa TVSH që përbën dëm ekonomik, në situacionet pasardhës deri në atë përfundimtar, përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi.
Ndërkohë lidhur me projektin e Unazës, pjesa “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja Loti1 nga dokumentet e vëna në dispozicion por edhe nga verifikimi në terren rezultuan se janë përfshirë në librezat e masave volume pune të pakryera në fakt në vlerën prej 8,490,090 lekë pa TVSH./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor