Presidenti Bajram Begaj, ka dhënë një prononcim për mediat pas takimit të rradhës të Liderave të Procesit të Brdo-Brijunit në Shkup të Maqedonisë së Veriut, i cili ka mbajtur edhe fjalën e tij, ku dha perspektivën e tij për samitin.
Begaj e ka cilësuar këtë samit në një moment të rëndësishëm nga ana e situatës gjeopolitike, pasi sfidat janë të njëjtat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përsa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ky takim i sotshëm vjen në një moment të rëndësishëm siç e dimë, nga situata gjeopolitike, e cila është e lidhur me agresionin rus në Ukrainë. Të qenurit bashkë për të diskutuar rreth sfidave të cilat duhet të përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Sfidat janë gati të njëjtat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çështjet që u trajtuan gjatë këtij samiti kishin të bënin me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kishte të bënte me disa çështje më sensitive për popujt tanë që janë të lidhura me rininë, me emigrimin, dhe po ashtu me sfidat e lidhura me ndryshimet klimatike” – tha Presidenti Begaj.
Në fund të takimit Krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit miratuan një deklaratë të përbashkët, duke nënvizuar nevojën e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimin dhe koordinimin për përballimin së bashku të efekteve nga ndryshimet klimatike, si dhe krijimin e projekteve dhe të programeve të përbashkëta për zbutjen e efekteve të emigrimit të të rinjve nga vendet e rajonit.
Presidenti Begaj zhvilloi gjatë ditës një sërë takimesh dypalëshe me disa nga Krerët e Shteteve të rajonit. Fillimisht, Presidenti Begaj u takua me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Gjatë takimit, presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë një shembull i bashkëpunimit konstruktiv, në interes jo vetëm të përparimit të dy vendeve, por të të gjithë rajonit.
Kreu i Shtetit u takua gjithashtu me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviç. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe interesi i përbashkët i çuarjes përpara të axhendës evropiane. Dy vendet kanë rol të rëndësishëm në kuadër të stabilitetit dhe të prosperitetit të rajonit.
Pjesë e axhendës ishte edhe takimi me përfaqësuesit e Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zeljko Komsic, Denis Becirovic dhe Zeljka Cvijanovic, me të cilët u diskutua për domosdoshmërinë e nxitjes së frymës së bashkëpunimit rajonal dhe gjithpërfshirës, për një Ballkan Perëndimor sa më të sigurt dhe të integruar sa më shpejt në Bashkimin Evropian.