Vendosni fjalën kyçe....

“A ka hetim për vjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS?” – Salianji kërkon raport në Kuvend nga Hyseni, Balla e Rrumbullaku


Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka kërkuar që kryetarja e SHISH-it, ministri i Brendshëm e drejtori i Policisë së Shtetit të raportojnë lidhur me atë që e quajti vjedhja e të dhënave nga sistemi TIMS.

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ku po raportonte zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, demokrati e pyeti nëse zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë ndonjë përgjigje ‘për një prej ngjarjeve më të rënda të raportuar nga ndërkombëtarët, por edhe mediat shqiptare siç është tentativa apo ndërhyrja në sistemin TIMS’.

“Institucionet që duhet të japin llogari para parlamentit, që janë nën monitorimin e këtij komisioni të japin llogari siç e parashikon kushtetuta dhe ligji. Këtu kam parasysh rrëshqitjen e kryetares së Shërbimit Informativ Shtetëror, e cila nuk raportoi siç parashikohet në Kushtetutë dhe ligj. Kam parasysh që ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë pavarësisht kërkesave të bëra konform rregullores së Kuvendit nuk morën pjesë për çështjet e kërkuara nga deputetët e opozitës dhe në një rast dhe me dakordësinë e deputetëve të maxhorancës dhe besoj që duhet të rikthehemi aty ku e kemi lënë për të rikthyer në shina të ligjshmërisë raportimin e këtyre institucioneve para Kuvendit.

Së dyti, është me shumë shqetësim për të gjithë opinionin publik ashtu si për partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj duhet të vinin këtu për të diskutuar dhe ne do të bëjmë kërkesë si fillim dhe pastaj edhe komision për më tej, është shqetësim thelbësor që në mbledhjen e parë të këtij komisioni ne të diskutojmë dhe nëse nga Ministria e Brendshme, përfaqësuesit e saj kanë ndonjë përgjigje për një prej ngjarjeve më të rënda të raportuar nga ndërkombëtarët, por edhe mediat shqiptare siç është tentativa apo ndërhyrja në sistemin TIMS për të fshirë gjurmë, apo për të marrë të dhëna, për t’i transferuar apo devijuar ato.” – tha Salianji.

“Doja dakordësinë tuaj që të paraqiten në komision, drejtoresha e SHISH, ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë për të marrë përgjigje për pyetjet që kemi bërë.” – shtoi  Salianji.