Për udhëtimin e tij të parë jashtë Koresë së Veriut në gati katër vjet, Kim Jong Un ka të ngjarë të jetë rikthyer te një mënyrë e parapëlqyer transporti: një tren të dekoruar në mënyrë luksoze, të blinduar rëndë dhe jashtëzakonisht të ngadaltë, shkruan Washington Post.
Mediat koreano-jugore raportuan të hënën, duke cituar zyrtarë qeveritarë, se treni i Kim duket se ishte larguar nga kryeqyteti i Koresë së Veriut, Pheniani, për të nisur udhëtimin e tij të gjatë. Media shtetërore ruse më vonë konfirmoi se Kim do takohej me presidentin rus Vladimir Putin në Rusi në ‘ditët e ardhshme’.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kim ka të ngjarë të takohet me Putinin në qytetin port rus të Vladivostok, pak më shumë se 480 km nga kufiri i Koresë së Veriut, ku ata pritet të diskutojnë dërgesat e armëve që mund të ndihmojnë luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë.
Kim ka udhëtuar rrallë jashtë Koresë së Veriut që kur mori drejtimin e vendit pas vdekjes së babait të tij Kim Jong Il në 2011, dhe Koreja e Veriut u shkëput kryesisht nga bota e gjerë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ashtu si babai i tij, i cili thuhet se kishte frikë nga fluturimi, dhe gjyshi i tij – Kim Il Sung, themeluesi i Koresë së Veriut – Kim ka udhëtuar kryesisht ndërkombëtarisht në një tren të prodhuar posaçërisht për të, një mënyrë e pazakontë transporti për një lider botëror të shekullit të 21-të.
Megjithatë, për një samit diplomatik të profilit të lartë me Presidentin Donald Trump në 2018 ai përdori një Boeing 747 të operuar nga ‘Air China’.
Ai përdori një aeroplan të Koresë së Veriut për të bërë një udhëtim relativisht të shkurtër në qytetin kinez të Dalian në vitin 2018 për takimin e tij të dytë me Presidentin Xi Jinping.