Vendosni fjalën kyçe....

Dokumenti/ Akt-ekspertimi që lehtësoi Rrajat! Mjeku ligjor, Elton Serani ekspertoi edhe Xhisiela Malokun që u dhunua nga Rexhep Rraja


Report TV disponon akt ekspertimin mjeko ligjor që lehtëson akuzat ndaj anëtarëve të fisit Rraja për dhunën barbare të ushtruar në Krujë më 6 korrik 2023 ndaj kushërinjve Jashar e Bilbil Maja, pas konfliktit për guroret.

Në video që bëri xhiron e rrjetit u faktua dhuna me shkopinj gome e bejsbolli ndaj dy vëllezërve, por nga akt ekspertimi i përpiluar nga mjeku ligjor Elton Serani dhe e klasifikon ngjarjen si “plagosje të lehtë” pasi dëmtimet nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë

Etiketoi dhe dhunen ndaj Xhisielës ‘plagosje të lehtë’

Mjeku Elton Serani ekspertoi edhe Xhisiela Malokun në 25 korrik 2018 pas akuzave të saj për dhunë ndaj Rexhep Rrajës.

 “ Referuar kartelës ditore të SUT Tiranë rezulton se në trupin e shtetasit Bilbil Maja u konstatua thyerje e kockës frontale-parietale të anës së djathtë të kokës pa dëmtime të indit trunor, plagë në lekurën e kokës, thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë, si edhe shembje e indeve të buta të kokës, trupit dhe gjymtyrëve.  Këto dëmtime janë shkatuar me mjet të fortë mbretës.

Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qënë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit të tyre dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën mba 9(nëntë) ditë” thuhet në raportin mjeko ligjor të firmosur nga Elton Serani dhe mban datën 24 korrik 2023.

Mbështetur në kriterin mjekësor, të parashikuar në ligj, dëmtimet e shtetasve Jashar e Bilbil Maja e klasifikojnë veprën penale të kryer ndaj tyre si “plagosja e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Edhe në akt ekspertizën e mjekoligjore të kryer në trupin e 25-vjeçares, Xhisiela Maloku, dhe publikuar nga Shqiptarja.com më 28 shtator 2018 në momentin që ajo kishte bërë denoncimin ndaj ish të dashurit të saj Rexhep Rraja dëmtimet hyjnë në kategorinë e atyre dëmtimeve të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 ditë. Ekspertiza konfirmonte atëherë dhe faktin e djegies me cigare të përmendur dhe nga Xhisiela Maloku në kallëzimin për përndjekje që ajo kishte bërë pranë SHÇBA-s në drejtorinë e policisë Durrës në korrik 2018.

 

Reagon prokuroria

Pas publikimit të raportit mjekoligjor, prokuroria e Tiranës reagoi dje për hetimet duke thënë se ka regjistruar procedim për plagosje të rëndë dhe akuza s`ka ndryshuar.

Në këto kushte, prokuroria sqaron se vepra penale “plagosja e lehtë me dashje” nuk bën pjesë në ato raste për të cilat ndjekja penale fillon kryesisht. Megjithë dokumentin e bërë publik, prokuroria e Tiranës, reagoi duke sqaruar se akuza nuk ka ndryshuar ende për anëtarët e fisit Rraja dhe se ata, po hetohen edhe për veprën penale të kanosjes pasi Flamur Rraja dhe Xhelal Rraja kanë pasur në duar edhe sende që dukeshin si pistoletë, që i kanë përdorur për të kanosur Bilbil Majën dhe Jashar Majën, duke jua drejtuar atyre, por edhe për ti goditur ata në pjesë të ndryshme të trupit.

Prokuroria thotë se megjithë aktin e ekspertimit mjekësor, hetimi është në vijim dhe akuza ndaj të dyshuarve mund të ndryshojë duke u rënduar në varësi të provave të tjera. Anëtarët e fisit Rraja dhunuan dy kushërinjtë Jashar e Bilbil Maja pas protestës së këtyre të fundit kundër gurorëve të cilat me gërmimet në tokë përmes shpërthimeve me eksploziv, sipas tyre kanë dëmtuar banesat e zonës.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com