Një 53-vjecar i dënuar më 4 vjet burg pasi i mori një shtaseje 270 mijë euro duke e mashtruar është arrestuar në Tiranë.
Personi i arrestuar është Andi Alimehmeti, i cili u ndalua në Pezë.
Ai ishte shpallur në kërkim pasi kishte mashtruar një qytetare duke i premtuar ta bënte bashkëpunëtore në agjencinë turistike që kishte në pronësi duke i marre 270 mijë euro.
Njoftimi
“Vihet në pranga një shtetas i dënuar me 4 vjet burgim, pasi i mori 270 000 euro një shtetaseje, duke e mashtruar. Shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Trick”. Si rezultat i këtij operacioni, në Pezë, u kap shtetasi në kërkim Andi Alimehmeti, 53 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”. 53-vjeçari i ka marrë një shtetaseje, shumën 270 000 euro, duke e mashtruar atë se do ta bënte bashkëpunëtore në një agjenci turistike që kishte në pronësi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”