NATO po përgatit stërvitjen e saj më të madhe të drejtpërdrejtë të komandës që nga Lufta e Ftohtë, vitin e ardhshëm, duke mbledhur më shumë se 40,000 trupa që do stërviten për mënyrën se si aleanca do përpiqet të zmbrapsë agresionin rus në rast të ndonjë sulmi ndaj një prej anëtarëve të saj.
Stërvitja “Steadfast Defender” vjen si pjesë e shtytjes së shpejtë të NATO-s për t’u përgatitur për një reagim ndaj një krize të mundshme, e nxitur nga pushtimi i Ukrainës.
Stërvitja do fillojë pranverën e vitit të ardhshëm dhe pritet të përfshijë midis 500 dhe 700 misione luftarake ajrore, më shumë se 50 anije dhe rreth 41,000 trupa, thanë zyrtarët e NATO-s. Ajo është projektuar për të modeluar manovra të mundshme kundër një armiku të modeluar sipas një koalicioni të udhëhequr nga Rusia, i quajtur ‘Oçasus’ për qëllimet e stërvitjes.
Stërvitja është gjithashtu e para për sa i përket aftësive teknike, duke përdorur të dhëna gjeografike të botës reale për të krijuar skenarë më të vërteta për trupat.
Suedia, kandidatura e së cilës për në NATO ende nuk është ratifikuar nga Turqia dhe Hungaria, do përfshihet gjithashtu, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve të përfshira në 32.
Stërvitja do zhvillohet në Gjermani, Poloni e vendet baltike në shkurt dhe mars dhe është pjesë e një strategjie të re stërvitore që do e shohë aleancën ushtarake të kryejë dy stërvitje të mëdha çdo vit, në vend të një të tille. NATO gjithashtu do stërvitet për të luftuar kërcënimet terroriste jashtë kufijve të saj.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në qershor të vitit të kaluar se aleanca do rriste numrin e forcave të saj të gatishmërisë së lartë nga 40,000 në ‘mbi 300,000’. Masa është pjesë e një rishikimi historik për të zhvendosur aleancën drejt aftësive të rënda ushtarake në krahasim me forcat e lehta dhe të lëvizshme të vendosura në Ballkan dhe Afganistan.
Pas kësaj deklarate, liderët e NATO-s ranë dakord në një samit në kryeqytetin lituanez Vilnius në korrik për planet e reja të mbrojtjes rajonale dhe krijimin e të ashtuquajturës Forca e Reagimit Aleat, një forcë shumëkombëshe në gjendje t’i përgjigjet me shpejtësi kërcënimeve.
Vendet baltike kanë qenë veçanërisht të zëshme në thirrjen që NATO-ja të forcojë krahun e saj lindor, ndërsa trupat janë grumbulluar në kufirin me Bjellorusinë. Presidenti rus Vladimir Putin tha se armët bërthamore do zhvendosen në Bjellorusi në fillim të korrikut, megjithëse prania e tyre është e pakonfirmuar.
NATO ka pozicionuar batalione shumëkombëshe në shtetet baltike për të ngadalësuar përparimin e çdo agresori në rast të një pushtimi. Gjermania tha në qershor se do mbante 4000 trupa në Lituani përgjithmonë.
Ushtrimet shihen gjithashtu si një pjesë kyçe për t’i treguar Moskës se aleanca është e përgatitur për të luftuar, thanë zyrtarët e NATO-s.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani