Vendosni fjalën kyçe....

Nisma Thurje kallëzon në SPAK ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca


Nisma Thurje denoncoi sot në SPAK ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe disa zyrtarë të AZHBR-së, lidhur me fondet e Ipardit, që u ndërprenë nga BE-ja.

Kreu Endri Shabani i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë gjithë zinxhirin vendimmarrës lidhur me abuzimin që çoi në ndërprerjen e fondeve të BE-së për buujqësinë.

“Do të vazhdojmë të vijojmë kallëzime për 30 vite për ata që vjedhin këtë vend. Sot kemi bërë kallëzim për abuzimet e AXHBR-së, të fondeve të Ipardit. Kërkojmë hetim të ish-ministres së Bujqësisë dhe të përgjegjësve të tjerë. Ne shpresojmë që kjo të jetë një vijë ndarëse, e pakalueshme për dy arsye. Jemi para dy rasteve, të tradhtisë të fermerëve, pasi ai është i tradhtuar nga qeveria e vetë. Fëmijët tanë pinë qumësht nga Serbia dhe hanë domate nga Maqedonia. Po mirë që e kanë lënë fermerin vetëm dhe i heqin aksesin fermerëve nga tregjet, por edhe kur vijnë fonde nga BE, që ta ndihmojnë atë që të punojë më lirë, këto lekë i vjedhin. Vjedhin me një grup oligarkësh, siç kanë bërë 30 vite. Jemi para një vije ku nuk duhet të kalohet, drejt rrugës së BE. Ne përjashtohemi nga fondi i ndihmës që jepet nga europianët.” – tha Shabani.

Krifca u shkarkua nga detyra nga kryeministri Rama pak ditë më parë në ndryshimet e qeverisë duke u zëvendësuar prej Anila Denajt.