Një prokuror i huaj pritet të ndjekë nga afër procesin gjyqësor ndaj Dritan Goxhaj, ish-anëtarit i UÇK-së, i cili u arrestua në Tiranë pak javë më parë pasi kërkohet nga Gjykata Speciale në Hagë.
Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala për News24.
Avokati Bashkim Nikolla ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Goxhajt për shkak se sipas tij ka kaluar afati 40-ditor.
Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën duke arsyetuar se është e pambështetur në ligj e në prova.
Gjykata Speciale ka kërkuar arrestimin e ekstradimin e Goxhajt duke e akuzuar se ka frikësuar dhe penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Avokati i tij tha se akuza me të cilën përballet Goxhaj është ajo e frikësimit të dëshmitarëve të fshehtë, që në procesin që po zhvillohet në Hagë mbahen të fshehtë, me iniciale.
Në muajin prill, gjatë një interviste në Euronews.al, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Gjatë emisionit të datës 3 prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.
“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar. Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi.” – deklaronte Goxhaj.