Është shtyrë seanca për ekstradimin e Dritan Goxhajt, i kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Data e ardhshme është caktuar më 19 shtator.
Në seancën e sotme mori pjesë edhe një prokuror i huaj. Avokati i Goxhajt, Ardian Visha, tha se ekstradimi i ish-luftëtarit të UÇK-së nuk mund të bëhet drejt Holandës, ndërsa shtoi se ajo për të cilën akuzohe ai nuk përbën fakt penal.
“Dritani kërkohet për t’u ekstraduar drejt Mbretërisë së Holandës, jo drejt territorit të Kosovës. Një raport ekstradues ka një parim të shenjtë në ndërtimin e tij dhe individi që premtohet për t’u dërguar në vendin kërkues do duhet të çohet brenda kufirit gjeografik të atij vendi që për Republikën e Kosovës, ne e kemi të përcaktuar. Nuk është territori i Mbretërisë së Holandës territor i Republikës së Kosovës dhe nuk ekstradon Shqipëria shtetas të saj në territorin e Holandës. Edhe për këtë gjë do duhej të refuzohej ekstradimi dhe të mos kishim proces ndaj Dritan Goxhajt. Vepra që i adresohet Dritanit është e papërcaktuar pse është penale. Pse përbën fakt penal një publikim i tij i shpërndarë në Facebook. Pra nuk ka një interpretim të autoritetit të procedurës për këtë shkak. Gjykata e Hagës, ajo Speciale, ka një juridiksion lëndor të kufizuar vetëm për vepra të caktuara të Kodit Penal të Kosovës dhe vetëm një periudhë kohore të caktuar, ‘98-2000. As nga pikëpamja e kohës, as nga pikëpamja e lëndës nuk e përfshin veprën që i adresohet Dritan Goxhaj.” – tha Visha.
Në muajin prill, gjatë një interviste në Euronews.al, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Gjatë emisionit të datës 3 prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.
“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar. Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi.” – deklaronte Goxhaj.