Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti të martën në prag të inagurimit të komandantit të ri të KFOR-it, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutas, ku u shpreh se kishte besim të plotë në bashkëpunimin që do të ketë me këtë të fundit në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Osmani theksoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit me qëllim të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë.
Ajo e prezantoi komandantin e ardhshëm të KFOR-it me sfidat e sigurisë “të shkaktuara nga strukturat ilegale në veri të vendit, të udhëhequra nga Serbia, të cilat udhëhoqën sulmet ndaj anëtarëve të KFOR-it më 29 maj, si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë dhe gazetarëve të Kosovës”.
Gjeneralmajor turk Ulutas do të marrë komandën njëvjeçare të KFOR-it në tetor. Kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga viti 1999.