Këngëtarja Enca Haxhiaj, e arrestuar të martën (12 shtator) për kultivim të bimëve narkotike, pasi iu gjetën 5 vazo me rrënjë kanabis sativa në ballkonin e shtëpisë del të enjten para gjykatës për masën e sigurisë. Prokuroria, para se të përpilojë kërkesën drejtuar gjykatës, ka kërkuar analizë laboratorike për të verifikuar shkencërisht nëse këngëtarja është apo jo përdoruese hashashi, siç ka pretenduar.
Në një dokument nga dosja, të siguruar nga Report Tv, policia shkruan se pas arrestimit, Enca Haxhiaj ka pranuar se është përdoruese e kanabisit.
Ajo sqaron se bimët i ka mbjellë vetë ajo, për kuriozitet dhe për nevojat e saj personale. Megjithatë nëse shpallet fajtore në fund të gjykimit, me sasinë e bimëve narkotike të kapura në banesën e saj këngëtarja rrezikon nga 3 deri në 7 vjet burg, një penalitet i njëjtë edhe për ata që kapen me parcela të mbjella me drogë. Në raport thuhet se bimët narkotike në ballkonin e banesës së këngëtares në katin e 4, në Lundër, kishin arritur nga 1.1 deri në 1.3 metër. Juristi Robert Karati thotë se në Kodi Penal duhet ndryshuar, për të përshtatur masat e dënimit me sasinë e lëndës narkotike që kapet, apo edhe rastet e kultivuar ose në shitje.
“Si një persona që merret me disa gramë, si një person që merret me disa kilogramë, si një që merret me maune ose me sasi të madhe, është e njëjta dispozitë. Ka pasur një iniciativë për ta çuar në Parlament dhe për të bërë një nën ndarje të tillë. Si rregull duhet, ligji është për të mos i nxitur njerëzit, por është për të marr atë që meritojnë”, tha avokati Robert Karati.
Kodi Penal nuk e ka të përcaktuar një limit të sasisë së lëndës narkotike që konsiderohet dozë për përdorim vetjak. Që gjykata ta konsiderojë si të tillë, një të arrestuar që kapet më sasi sado të vogël, duhet që kaloj në disa faza hetimi, nga përjashtimi që nuk është shpërndarës, deri tek akt-ekspertiza që përcakton nëse ka gjurmë në organizëm dhe dozën për konsum personal të lëndës narkotike.
“Doza e vogël konsiderohet ajo që është rast pas rasti. Tek një person 0.5, 0.6 mund të konsiderohet dozë e vogël, tek një person tjetër mund të konsiderohet jo dozë e vogël, përcaktohet me akt-ekspertimi. Fakti është që 284-a (Kultivimi i lëndëve narkotike) e konsidero vepër penale edhe faktin që ti e ke mbjellë. Në këtë rast, nëse kjo sasi, kjo rrënjë, sa do mbjelli, dhe nëse rrënjë që do mbillen, këto boçe që do vilen, a duhet të quhet dozë e vogël për përdorim të njëhershëm?”, vijon ai.
Në kryeqytet, pjesa më e madhe e personave që bien në prangat e policisë tentojnë të mbrohen me faktin se janë përdorues kur kapen me pak doza. Por, kualifikimi i tyre si përdorues bëhet pasi sektori i narkotikëve vërteton se nuk ka lidhje me anëtarë të grupeve kriminale dhe me aktivitetin e shpërndarjes së drogës.