Një zjarr në një bllok apartamentesh në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, ka vrarë 56 persona, mes tyre fëmijë dhe plagosi 37, tha policia të mërkurën.
Zjarri shpërtheu gjatë natës në një ndërtesë nëntë-katëshe, ku banojnë rreth 150 banorë, sipas Agjencisë zyrtare të Lajmeve të Vietnamit (VNA), e cila tha se zjarri u kontrollua në orën 2 të mëngjesit (15:00 ET), sipas CNN.
Disa nga viktimat përfunduan në spitalet lokale me lëndime të shumta pasi u hodhën nga dritaret e tyre për t’i shpëtuar zjarrit, tha media shtetërore, duke cituar Vu Hoang Phuong nga Spitali Universitar Mjekësor Hanoi.
Policia ka arrestuar pronarin e ndërtesës, Nghiem Quang Minh, duke e akuzuar atë për shkelje të rregullave të parandalimit të zjarrit, tha në një deklaratë Ministria e Sigurisë Publike, duke shtuar se një hetim për rastin është duke u zhvilluar.
Kryeministri Pham Minh Chinh vizitoi vendin e zjarrit të mërkurën dhe bëri thirrje për plotësimin e rregulloreve kundër zjarrit në ndërtesat e vogla të banimit dhe në zonat e banuara me popullsi të dendur, sipas një deklarate të qeverisë.