Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk i çojmë fëmijët në lokale e bodrume” – Prindërit protestë në një fshat të Librazhdit


Fëmijët e fshatit Funarë në Librazhd nuk kanë shkuar në shkollë edhe pse procesi mësimor ka nisur prej tre ditësh. Shkak është bërë mungesa e shkollës pasi ajo e fshatit është dëmtuar në tërmetin e nëntorit 2019.

Një pjesë fëmijësh shkojnë në Librazhd për të ndjekur mësimin ndërsa pjesa më e madhe e tyre nuk kanë pranuar të shkojnë në mjediset alternative si vitet e shkuara ku mësimi është zhvilluar në lokale e bodrume.

Mësuesit e shkollës nuk janë pjesë e protestës së prindërve të nxënësve.

“Shkolla më e afërt është 4 km. Meqë ka kaq vite që na gënjejnë ne nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë. Nuk pranojmë asnjë kompromis tjetër, duam të bëhet funksionale shkolla. Niveli i arsimit është copë-copë sepse bëjnë mësim në klasa të bashkuara. Fëmijët tanë janë analfabetë.” – tha një nga prindërit.

“Kam dy fëmijë, nuk i sjell dot në shkollë. Nuk po kërkojmë gjë për vete, as punë. Do marrim rrugët, por për fëmijët shkolla duhet.” – tha një tjetër prind  për gazetarin Osman Stafa në News24.

Ndërsa një mësuese pranoi gjendjen problematike e pohoi se fëmijët kanë të drejtë por shtoi se fëmijët duhet të shkojnë në shkollë.

“Kam 40 vjet mësuese këtu. Jam ndjerë shumë keq ditën e parë kur nuk kisha asnjë nxënëse dhe nuk përjetuam asnjë emocion. Ambientet ku jemi janë të papërshtatshme, janë skandaloze, por ama fëmijët pa shkollë nuk mund të rrinë. Unë kam ardhur dhe ditët e pushimit me kolegët për të sistemuar klasën. Këtu kam 6 nxënës të klasës së parë. Prindërit kanë të drejtë dhe ne i mbështesim, por fëmijët duhet të mësojnë, puna nga ne nuk mungon.”  – tha një mësuese.