Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania thotë se Putin po përgatitet për luftë të gjatë në Ukrainë


Presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë duke u përgatitur për një luftë të gjatë në Ukrainë, tha të mërkurën ministri gjerman i Mbrojtjes.

Duke folur në Akademinë Federale për Politikën e Sigurisë (BAKS), Boris Pistorius tha se nuk shihte asnjë tregues se Rusia ishte e interesuar në bisedimet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

“Unë nuk shoh asnjë shenjë për këtë dhe më duket se ai po përgatitet të jetë në gjendje të luftojë këtë luftë për shumë e shumë vite,” tha ai.

Pistorius përsëriti se Gjermania do vazhdojë të furnizojë me armë Ukrainën, për të ndihmuar Kievin të mbrojë territorin e vet.

Ai nënvizoi se sistemet gjermane të armëve, si tanket kundërajrore Gepard, kanë qenë efektive deri më tani dhe kanë shpëtuar shumë jetë në vend.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Gjermania ka dhënë 22 miliardë euro mbështetje financiare për Ukrainën, duke përfshirë 12 miliardë euro ndihmë ushtarake.

Ndihma ushtarake përfshinte armë dhe pajisje të përparuara si tanke luftarake Leopard 2, tanke kundërajrore Gepard, automjete luftarake Marder dhe sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot dhe IRIS-T.