Të tjera hollësi janë zbardhur nga ekzekutimi i 6 turqve në Greqi më 11 shtator. 10 minuta para vrasjes, viktimave u është dërguar një mesazh në celularin e tyre, raportojnë mediat e huaja.
Sipas tyre, në mesazh thuhej: “Pozicioni yt është zbuluar, dil menjëherë nga shtëpia, do të të vrasin”.
Nga raporti i gazetës turke, Yeni Safa, 6 turqit pasi kanë marrë këtë mesazh kanë vendosur të largohen nga shtëpia të cilën e kishin marrë me qira në Lutsa, duke mos ditur se disa kilometra më poshtë do t’u zihej pritë.
Ndërkohë një ditë më parë (13 shtator 2023) mediat e huaja publikuan emrat dhe fotot e viktimave. Sipas publikimit, emrat e tyre janë: Doruk Ersu Büyüktunç, Abdurrahman Tekrü, Ömer Kanza, Ozan Kaan Tozlu, Baris Çagan dhe Burak Tahmaz. Gazeta turke ka postuar një foto në Tik Tok ku shihen 6 personat e ekzekutuar, duke lënë edhe një mbishkrim ‘ne hakmerremi’.
Nga hetimet paraprake është zbuluar se 6 viktimat ishin anëtarë të një grupi kriminal, i cili vepronte jashtë vendit dhe jo në Greqi. Gjithashtu sipas raportimeve thuhet se në masakër janë përdorur 4 armë zjarri, dy prej të cilave janë të llojit pistoletë.