Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji që kthen bastet sportive parashikon deri në 10 licenca kombëtare, tarifa e licencimit 400 milionë lekë


Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ka paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimet e paralajmëruara në ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Qëllimi kryesor i projektligjit është rikthimi i kategorisë së basteve sportive, por tashmë vetëm në formën online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperincë në ushtrimin e aktivitetit “baste sportive”.

Sipas MFE, ndryshimet kanë gjithashtu qëllim garantimin e përdorimit të të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive, në mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.

Projektligji përcakton edhe kriteret e licencimit të subjekteve të cilat do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë në kategorinë “Baste sportive on-line”.

Subjekti aplikues të jetë shoqëri aksionare me kapital themeltar jo më pak se dyzet milionë lekë. Subjekti ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit ne jo me pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.

Gjithashtu, subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën dy miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit, gjithashtu të ketë kapacitetet e duhura administruese, organizative dhe besueshmërinë e duhur për t’u angazhuar me sukses në aktivitete të tilla.

Sipas projektligjit, numri i licencave kombëtare për subjektet e basteve online nuk mund të jetë më shumë se 10 dhe dhënia e tyre do të kryhet me procedurë konkurrues,e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Tarifa e licencimit për operatorët e basteve sportive do të bëhet 400 milionë lekë, nga 200 milionë lekë që kishte qenë para ndalimit të këtij aktiviteti.

Pagesat për vendosjen e basteve sportive do të kryhen vetëm nëpërmjet agjentëve financiarë të autorizuar. Specifikimet teknike në lidhje me kryerjen e pagesave dhe mënyrën e pranimit apo tërheqjes së tyre do të kryhen në përputhje me marrëveshjen specifike të organizatorit të lojës së fatit me agjentin financiar të autorizuar përkatës.

Me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat pas marrjes së mendimit të AKSHI-i përcaktohen standardet që kanë të bëjnë me kushtet teknike të sistemit të basteve sportive on-line, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtarëve, kërkesat e programeve softëare dhe hardëare, certifikimin e sistemit, procedurat në lidhje transaksionet e pagesave, parimet e sigurisë dhe kushtet e kontrollit apo mbikëqyrjes.

Organizatorët e basteve sportive online do të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm masën 15% të të ardhurave bruto, nga loja e cila do të përdoret për financimin e projekteve ne fushën e sportit, kulturës, inovacionit.

Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji do të shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm si një zë më vete në buxhetin e AMLF-së që përdoret me vendim të Këshillit të Mbështetjes së Projekteve. Ky fond do të shërbejë për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, në bazë të kërkesës për financimin e projekteve të paraqitura nga institucionet shtetërore, pas marrjes së mendimit të institucioneve publike të fushës.

Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori i kategorisë “baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 milionë lekësh, por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Gjithashtu, për krijimin e garancive për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi AMLF-së, organit tatimor etj, organizatori i kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 50 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të AMLF-së, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor