Vendosni fjalën kyçe....

“Piktori i dhunës dhe paqes”, Fernando Botero ndërron jetë në moshën 91-vjeçare


“Fernando Botero, piktori i traditave, papërsosmërive dhe i virtyteve tona, ka ndërruar jetë”, tha presidenti kolumbian në një postim në Platformën X, pa dhënë detaje për vdekjen e tij.

“Piktori i dhunës dhe paqes sonë. Pëllumbi që u refuzua një mijë herë dhe një mijë herë u vendos në fronin e tij”, shtoi Petros, duke iu referuar një prej shpendëve emblematike të përdorur nga artisti në veprat e tij.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Agjencia Franceze.

Fernando Botero, i lindur në 1932 në Medellin, konsiderohet si një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. Kontaktin e parë me pikturën e pati përmes librave dhe kopjeve. Një pjesë e temës dhe frymëzimit të tij vinin ende nga librat e babait të tij mbi temën e Revolucionit Francez, të cilat u ilustruan me disa portrete të kohës.

Ekspozita e tij e parë u organizua me shumë sukses në vitin 1952, në galerinë e Leo Matiz, në qytetin e Bogotas ku ai po jetonte. Në të njëjtin vit, ai mori pjesë në Sallonin e 9-të të Artistëve Kolumbianë dhe mori çmimin e dytë, i cili i siguroi famën në rrethin e artistëve dhe intelektualëve të Bogotas.

Pasi arriti një audiencë ndërkombëtare me artin e tij, në vitin 1973, Motero u transferua në Paris, ku u mor me skulpturën. Në vitin 2004, Botero ekspozoi një seri vizatimesh dhe pikturash të fokusuara në dhunën në Kolumbi, të cilat u frymëzuan nga aktivitetet e karteleve të drogës. Në vitin 2005, ai prezantoi serialin Abu Ghraib, bazuar në raportet e abuzimit të të burgosurve nga forcat ushtarake amerikane gjatë luftës në Irak. Seriali i tij mori më shumë se 14 muaj për t’u përfunduar dhe mori shumë vëmendje kur u ekspozua për herë të parë në Evropë.

“Botero i përket atyre artistëve që edhe në moshë madhore ndryshojnë axhendën e tyre. Në të kaluarën ai pikturoi familje të pasura të veshura me më të mirat e tyre, portokall dhe banane të mëdha dhe presidentin apo gjeneralin e Amerikës Latine me uniformën e tij. Tani ai pikturon dhunën e luftës, rrëmbimet dhe vrasjet, procesionet funerale dhe xhelatët,” raportoi New York Times për të.