Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria propozon ulje të tarifës së licencimit dhe kërkesës minimale për kapital për Lotarinë Kombëtare


Qeveria ka propozuar një ulje të tarifës së licencimit për operatorin e Lotarisë Kombëtare.

Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, propozohet ulja e tarifës së licencimit nga 1 miliardë lekë që është aktualisht në 500 milionë lekë.

Gjithashtu, sipas ndryshimeve të propozuara në ligj, kapitali minimal i kërkuar nga operatori i Lotarisë Kombëtare do të ulet ndjeshëm në 40 milionë lekë, nga 1.2 miliardë lekë që është aktualisht.

Megjithatë, në të njëjtin projektligj qeveria paralelisht propozon rritjen e kontributit vjetor që operatori i Lotarisë Kombëtare duhet të derdhë si kontribut në Fondin e Posaçëm për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, etj.

Ligji aktual parashikon se organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, duhet të derdhë në llogari të Ministrisë së Financave 5% xhiros vjetore si fond për çështjet e mira, si dhe 0,4% të xhiros vjetore për ministrinë përgjegjëse për kulturën.

Projektligji i ri parashikon se organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, duhet të derdhë në llogari të Fondit të Posaçëm shumën 10% të të ardhurave bruto nga loja.

Lehtësimi i kostove fillestare për operatorin e Lotarisë Kombëtare vjen pas dështimit të operatorit që e përfitoi licencën e kësaj lotarie, që pas përfundimit të afatit të licencës vendosi të tërhiqej dhe të mos e rinovonte atë, siç ishte paralajmëruar nga Monitor qysh në vitin 2021.

Albanisch Osterreichische Lotterien Holding e mori licencën për organizimin e Lotarisë Kombëtare në vjeshtën e vitit 2012, ndërsa ajo u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë në mars 2013, që konsiderohet si data efektive e hyrjes në fuqi të koncesionit.

Dhënia e licencës së Lotarisë Kombëtare në vitin 2012 ishte një proces që u shoqërua me akuza të ashpra nga opozita dhe nga kompani të tjera të interesuara. Megjithatë, vitet në vijim treguan se për austriakët marrja e kësaj licence nuk rezultoi një biznes shumë i leverdishëm.

Pasqyrat financiare të kompanisë tregojnë se deri në fund të vitit 2022 kompania kishte akumuluar humbje totale në vlerën e 3.4 miliardë lekëve ose gati 30 milionë eurove. Për të mbuluar humbjet, aksioneri ka kryer injektime periodike të kapitalit në shoqërinë shqiptare.

Sipas analizës financiare të menaxherëve të shoqërisë, humbjet i atribuohen fazës fillestare, që përfshin investime dhe shpenzime mjaft të larta në marketing, zhvillimeve të tregut dhe performancës së pakënaqshme të produkteve.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor