Policia ka arrestuar një 29-vjeçar në Fier pasi u kap në flagrancë me fara të dyshuara të bimës narkotike kanabis.
Shtetasit F.Sh iu gjetën të kultivuara edhe 17 bimë kanabisi.
“Në vijim të punës së Policisë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë siguruar informacion se një shtetas kryente disa veprimtari kriminale, në banesën e tij, në lagjen “Kryengritja”.
Në bazë të këtyre informacioneve u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Stadi”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi F. Sh., 29 vjeç.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 12 100 fara të dyshuara të bimës narkotike cannabis sativa, fishekë luftarakë dhe një dorezë metalike. Gjithashtu, nga kontrollet u konstatua se ky shtetas kishte kultivuar në vazo, 17 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme” -njofton policia.