Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komentuar dy rastet e fundit të zbulimit të mbi 10 mijë bimëve kanabis në Velipojë e kapjes së një ngarkese me lëndën narkotike në kufirin me Malin e Zi.
Ai ka kërkuar hetim të thellë për të gjithë të përfshirët si dhe rrugëtimin e kanabisit të kapur, duke përfshirë edhe zyrtarë të policisë.
“Nisur nga rastet e kapjes së lëndës narkotike në pikat e kalimit kufitar, Agjencia e Mbikeqyrjes Policore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë duhet të hetojnë plotësisht gjithë rrugëtimin që nga momenti i kultivimit apo hyrjes në territorin e vendit tonë, për të nxjerrë përgjegjësinë e atyre drejtorëve, shefave apo kontrollorëve policie që nuk e kanë bërë detyrën”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Ai shton në reagimin e tij se nuk ka asnjë mundësi që qoftë edhe një bimë kanabis të rritet pa një polic që paguhet për të mos e parë.
“E kam thënë që ditën e parë në detyrë se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka mundësi të vetme të korret, pa një shef që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur apo kontrolluar në një pikë kalimi kufitar. Goditja e një rasti tjetër kultivimi të bimëve narkotike, në Velipojë, ku u asgjësuan mbi 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, nxorri në pah edhe përgjegjësinë apo mbylljen e syve të strukturave përkatëse të Policisë vendore. Pezullimi i menjëhershëm i Shefit të Stacionit të Policisë së Shtetit Velipojë bashkë me tre oficerë të tjerë policie në këtë stacion, është vetëm hapi i parë ndërshkimor për mbylljen e syve apo ndoshta edhe përfshirjen e tyre në borderotë e grupeve kriminale që prisnin të korrnin ato 10 mijë bimë narkotike. Prandaj vetë-pastrimi i Policisë së Shtetit nga kushdo që tradhëton këtë luftë do të vazhdojë çdo ditë, pa kthim pas!” – shton Balla.