Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në burg Fredi Belerin


Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në burg Fredi Belerin, i arrestuar për blerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit.

Në seancën e sotme kanë qenë të pranishëm edhe ambasadorja greke në Tianë Kostandina Kamitsi e kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule. Ky i fundit e ka quajtur arrestimin e Belerit, ‘rrëmbim politik me urdhër të kryeministrit Rama’. Beleri kërkoi përmes avokatit të tij ndryshim të masës së sigurisë.

Kryeministri grek Mitsotakis ka kërkuar në disa raste lirimin nga burgu të Fredi Belerit ose lejimi e betimit si kryebashkiak brenda qelisë duke paralajmëruar për masa jo vetëm në marrëdhëniet mes dy vendeve por edhe për çuarjen e çështjes në Parlamentin Evropian e institucionet e tjera të BE-së.

Prokuroria ka deklaruar se i ka provat për përfshirjen e Belerit në  blerje votash, gjë të cilën ky i fundit e ka hedhur poshtë me forcë. Më herët ai bëri dy rekurse në Gjykatën e Lartë ku kërkoi shpalljen të pavlefshme të arrestimit dhe përgjimeve të prokurorisë.

Kryeministri Rama në të gjitha qëndrimet për arrestimin e Belerit ka deklaruar se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë dhe se nuk lejon askush e asnjë vend tjetër të ndërhyjë në çështjet e brendshme të drejtësisë shqiptare.