Vendosni fjalën kyçe....

I kapet kanabis, kallëpë me tritol, armë e granata, prangoset 68-vjeçari në Malësi të Madhe


Një 68-vjeçar me iniciale Gj.M. është arrestuar në Malësi të Madhe.

Gjatë kontrollit në banesë atij i janë kapur kallëpë me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash e fitil përcjellës.

Ai i ndalua teksa po kujdesej për një sipërfaqe të mbjellë me kanabis ku u gjetën rreth 120 bimë. Dyshohet se 68-vjeçari ua shiste lëndët plasëse personave me precedent kriminal.

Njoftim

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Konglomerat”. Sekuestrohen dhjetëra kallëpe me lëndë shpërthyese tritol, armë zjarri, granata, ndezës granatash dhe fitil zjarrpërcjellës.

Vihet në pranga poseduesi i tyre, i cili në momentin e ndërhyrjes nga Policia u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë narkotike që kishte kultivuar në afërsi të banesës së tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte sasi të konsiderueshme lënde shpërthyese tritol, granata, fitil zjarrpërcjellës dhe armë zjarri, me qëllim për t’ua shitur personave me precedent kriminal që ushtrojnë veprimtari në fushën e krimve kundër personit dhe pronës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Konglomerat”.

Gjatë operacionit, në fshatin Gimaj, njësia administrative Shalë, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin Gj. M., 68 vjeç, banues në fshatin Gimaj, Shkodër, pasi në momentin e ndërhyrjes nga Policia, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për 120 bimë kanabisi që kishte kultivuar në një sipërfaqe toke në afërsi të banesës së tij.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 31 kallëpe tritoli, 110 metër fitil zjarrpërcjellës, 18 granata dore dhe 13 ndezës të unifikuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies, 120 bimët narkotike të kultivuara në afërsi të banesës së 68-vjeçarit, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.”