Shqipëria dhe Arabia Saudite nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit, i cili do të nxisë transformimin digjital për përmirësimin e efikasitetit dhe qasjes në drejtësi përmes teknologjisë së informacionit.
Marrëveshja u firmos në Tiranë në vizitën e parë që një ministër i Drejtësisë të Mbretërisë së Arabisë Saudite zhvillon në Shqipëri.
“Ky memorandum synon të realizojë qëllime të rëndësishme, duke përfshirë përkrahjen për transformimin digjital të sistemeve të drejtësisë, për të përmirësuar efikasitetin dhe qasjen në drejtësi përmes teknologjisë së informacionit. Përmirësimin e aftësive profesionale të profesionistëve të drejtësisë nëpërmjet trajnimeve dhe programeve të specializuara. Bashkëpunimin në fusha të tjera që do të përcaktohen në vijim të këtij Memorandumi”, tha Manja.
Marrëveshja ndërmjet dy palëve do të shërbejë si pikënisje e një bashkëpunimi më të gjerë ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, që shumë shpejt do të zgjerohet edhe me një tjetër marrëveshje me karakter civil dhe tregtar.