Vendosni fjalën kyçe....

3-vjeçari u rrah brutalisht nga edukatoret në Fushë-Kosovë, policia ndalon të dyshuarat


Opinioni publik është tronditur nga një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në Fushë- Kosovë,  ku një 3-vjeçar është dhunuar nga edukatoret.

Mediat kosovare kanë publikuar disa foto që janë siguruara nga familjarët e të miturit, ku në krahët e 3-vjeçarit shihen mjaft qartë shenja nxirjeje.

Mësohet se, aktualisht vogëlushi ndodhet pranë familjarëve, të cilët denoncuan se fëmija ka pësuar trauma psikike si pasojë e dhunës brutale nga edukatoret. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, mediat kosovare shkruajnë se, kanë provuar të marrin dëshminë e drejtoreshës së kopshtit “Gëzimi ynë”, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Gjithashtu një i afërm i fëmijës ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook një video ku nipi i tij shihet duke u rrahur nga tri edukatoret. Ai ka publikuar pamje, ku shihej se fëmija tërhiqej zvarrë e më pas goditej pa mëshirë. Për arsye hetimore identiteti i këtyre të fundit nuk është bërë ende i ditur, ndërsa mësohet se policia ka mbërritur mëngjesin e kësaj të marte, pranë ambienteve të kopshtit.

Si pasojë e ngjarjes së rëndë ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci, ku dënon ashpër dhunën dhe shkruan se kushdo që e ka ushtruar do të marrë dënimin e merituar dhe se institucionet do të marrin masa të menjëhershme.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar.

Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve. Videoja ku shihej si i mituri dhunohej nga edukatoret u publikua nga qytetari Fatos Geci, pasi ai ishte nipi i tij 3-vjeç.

Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa nipi i tij, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa ka publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija. Familjarët kanë kërkuar  nga organet e drejtësisë të reagojnë në ndërmarrjen e veprimeve ndaj mësueseve, pasi 3-vjeçari, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar trauma të rënda psikike. Përveç policisë në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.”

Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë dy të dyshuara për rrahjen e 3-vjeçarit në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, raporton Express.

Sipas Policisë, të arrestuara janë një 64-vjeçare me inicialet N.M dhe një 56-vjeçare me inicialet N.H. Ato dyshohen për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

 “Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave; • N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe  • ​N. H, femër, 56 vjeç, shtetase  Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.