Merr zgjidhje ankesa e qytetarëve për gjobat e Policisë Rrugore, ministri Balla: Nga sot njoftimin e merrni menjëherë në telefon
Përmes sistemit e-albania gjoba e çdo drejtues mjeti që kryen një shkelje rrugore dhe ndëshkohet nga shërbimi policor do të njoftohet përmes një mesazhi apo emaili, duke patur mundësinë të shlyejë detyrimin në kohë dhe përfitojë nga ulja e masës së gjobës 50 % kur e paguan brenda 15 ditëve.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit prezantuan sistemin, pjesë e paketës së risive dixhitale.
“Do të duhet që kundrejt konfirmimit të vetë qytetarit të adresës së emalit dhe numrit të telefonit, brenda 7 deri në 10 minuta të marrin njoftimin për masën administrative. Nëpërmjet saj shmangim abuzimet, pasi kemi shumë ankesa nga qytetarë që vijnë për gjobat, duke pretenduar se është jo e drejtë, se nuk kam qenë në këtë aks rrugor, apo atë parkim”, tha drejtori i PSH, Muhamet Rrumbullaku.
“Ky është momenti për t’i bërë thirrje çdo qytetari që nëse do të njoftohet për marrjen e penalitetit të shkeljes rrugore, mund të logohet në e-Albania dhe në momentin që kryen një shkelje rrugore mesazhi i vjen në telefon”, tha ministri Balla.
Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato shpjegoi se kështu zgjidhet dhe një nga shqetësimet e shumta të qytetarëve, pasi me ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor, nëse pagesa e gjobës bëhet brenda 15 ditëve, shkelësi përfiton 50% ulje të gjobës.
Nisma u prezantua pranë shkollës së mesme “Ismail Qemali” në kryeqytet.
“Këtu kemi një nga shkollat më të mëdha të Tiranës, e në kuadër të masave të reja, të Paketës së Sigurisë në Shkolla, e kjo rrugë bën pjesë e perimetrit të sigurisë, sepse është trotuari dhe rruga ngjitur me oborrin e shkollës, që do të thotë se na duhet të rritim prezencën policore, por shpresoj që shumë shpejt me Bashkinë Tiranë me vendosjen e kamerave të sigurisë dhe ato që regjistrojnë shpejtësinë e mjeteve, ato aksesojnë sistemin dhe çojnë gjobën tek Salla e Komandimit dhe plotësohet masa administrative e njoftohet qytetari”, tha kreu i ministrisë së Brendshme.