Qeveria kanadeze po synon dyqanet ushqimore, duke i paralajmëruar për “pasoja të mëdha” nëse nuk arrijnë të ofrojnë “lehtësim për kanadezët” duke stabilizuar çmimet e ushqimeve deri më 9 tetor. Kjo vjen në kohën e rritjes së inflacionit në vend dhe teksa kryeministri liberal i vendit Justin Trudeau po ecën keq në sondazhe.
Duke folur në mbledhjen e grupit kombëtar të Liberalëve në Londër, Ontario të enjten, Trudeau tha se ai pret “të dëgjojë prej zinxhirëve më të mëdhenj ushqimorë deri në Ditën e Falënderimeve se cili është plani i tyre për të stabilizuar çmimet,” duke paralajmëruar për masa, përfshirë ato tatimore.
Ministri i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, Francois-Philippe Champagne, tha në një intervistë me CBC se ai u dërgoi ftesa shefave të Loblaw, Sobeys, Metro, Costco dhe Walmart – zinxhirët më të mëdhenj të ushqimeve në vend që të marrin pjesë në një takim në Otava të hënën. Lëvizja vjen mes rritjes së çmimeve në Kanada dhe raporteve se gjigantët e ushqimeve kanë parë fitime rekord.
“Nuk është në rregull që dyqanet tona ushqimore më të mëdha po bëjnë fitime rekord ndërsa kanadezët po përpiqen të sigurojnë ushqim në tryezë,” tha Trudeau në një konferencë shtypi të enjten.
Publiku ka treguar pakënaqësi në rritje me trajtimin e ekonomisë nga Trudeau, me sondazhet e fundit që tregojnë se vetëm 26% e kanadezëve do të votonin për liberalët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, me konservatorët në krye.