Vendosni fjalën kyçe....

Vihet në pranga një 26-vjeçar në Elbasan, ishte shpallur në kërkim për drogë


Një 26-vjeçar është arrestur  në Elbasan, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Tempulli’, që është zhvilluar në disa qytete të vendit.

Shtetasi me iniciale E. K.u vu në pranga, ndërsa gjykata ka vendosur ndaj tij masën arrest me burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Bashkë me arrestimin e Kukollit, ka shkuar në 10 numri i të arrestuarve në qytetin e Elbasanit. Ai u kap nga policia në lagjen “28 nëntori”.

Njoftimi i policisë:

“Kapet në Elbasan dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të këtij megaoperacioni. Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në lagjen “28 nëntori”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi Erjon Kukolli, 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni. Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë.”