Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e të BE, Josep Borrell.
Presidenti Begaj i shprehu falenderimet e tij z. Borrel për mbështetjen që ka treguar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe proceset integruese dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kreu i Shtetit u shpreh shpresëplotë për arritjen sa më shpejt, të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme.
Pjesë e këtij takimi ishin edhe diskutimet mbi situatën në Kosovë, duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Gjithshtu ata theksuan se është me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun.